Maqedonia Vonon Reformat
Autoritetet maqedonase po zvarrisin reformat e premtuara demokratike.
Maqedonia Vonon Reformat
Autoritetet maqedonase po zvarrisin reformat e premtuara demokratike.
Shpresat që Maqedonia ishte në prag të një epoke të re janë provuar si të pabazuara. Një amnisti për të burgosurit politik, zgjedhja e maqedonasit etnik Boris Trajkovski në postin e presidentit falë përkrahjes së votave shqiptare dhe reformat e paralajmëruara kushtetuese kanë bërë që shumë analistë të huaj të parashikonin se këtë vit do të kishte ndryshime të mëdha politike.
Në fakt ka ndryshuar shumë pak. Maqedonasit dhe shqiptarët janë po aq të ndarë sa edhe më parë.
Vendi akoma nuk ka arritur të vendosë institucione të vërteta demokratike, të cilat të funksionojnë për të mirën e të dy komuniteteve.
Pas pavarësisë në vitin 1991, Maqedonia ka miratuar kushtetutën e vjetër jugosllave të vitit 1974 duke i bërë vetëm pak ndryshime. Kjo kushtetutë e re ka përfaqësuar shumë probleme për komunitetin shqiptar, disa prej tyre shumë të njohura. Qeveria është bërë shumë e centralizuar dhe komuniteti shqiptar është reduktuar me statusin e një pakice etnike duke pasur shumë diskriminim.
Edukimi universitar është një ilustrim i mirë i gjendjes së keqe. Pas shpalljes së pavarësisë dhe miratimit të kushtetutës së re, gjuha shqipe nuk është njohur si një gjuhë zyrtare. Duke kundërshtuar arsimimin e lartë të studentëve në gjuhën maqedonase, komuniteti shqiptar ngriti universitetin e tij 'ilegal' të Tetovës.
Tani ka një propozim për të krijuar një universitet zyrtar në gjuhën shqipe me sponsorizimin e Bashkimit Europian. Por pavarësisht të mbi 50 vizitave të të dërguarit special të BE-së Maks Van Der Shtoel deri në vitin 1999, asgjë konkrete nuk është arritur deri më sot. Mungesa e presionit të politikanëve shqiptarë për institucionin e ri ka dëmtuar reputacionin e tyre.
Zgjedhja vitin e kaluar e Boris Trajkovskit në postin e presidentit si përfaqësues i koalicionit qeveritar është varur shumë nga votat e komunitetit shqiptar.
Ndërsa të gjithë kandidatët shqiptarë humbën në raundin e parë, votuesit duhet të zgjidhnin ndërmjet dy kandidatëve maqedonas në turin e dytë. Trajkovski u paraqit si më i afërt me komunitetin shqiptar duke bërë që ky komunitet të besonte se një votë për të do të garantonte përmirësime të ndjeshme të të drejtave të shqiptarëve.
Ligji i amnistisë ishte menduar për të burgosurit politik dhe dy të burgosur të njohur shqiptarë, Alajdin Demiri dhe Rufi Osmani, u liruan në shkurt 1999 bazuar në ligjin e ri. Të dy politikanët ishin dënuar me burgim të gjatë në vitin 1997, sepse kishin ngritur flamurin shqiptar në ndërtesat e bashkive të Gostivarit dhe Tetovës.
Demiri pritet të marrë postin e ambasadorit të Maqedonisë në Kombet e Bashkuara. Osmani që prej asaj kohe është tërhequr nga jeta politike për shkaqe shëndetësore.
Partia kryesore politike e shqiptarëve, ADP, i qëndron një manifesti të demokracisë konsensuale, multietnike. Por ajo është pjesë e qeverisë e cila nuk ka arritur të përmbushë ndryshimet e premtuara kushtetuese dhe përmirësimin e ndjeshëm të të drejtave të njeriut. ADP, për shembull, ka qenë shumë e frenuar në kërkesat e saj për lirimin e Osmanit dhe Demirit në bazë të ligjit të amnistisë.
Pakënaqësia për mungesën e progresit ka dëmtuar besimin e komunitetit shqiptar në demokracinë multi etnike. Kjo ka bërë që shqiptarët tani të kërkojnë gjithnjë e më me forcë një sistemi qeverisjeje me bazë federale.
Ndryshimet e propozuara në ligjin për qeverisjen lokale u japin shqiptarëve njëfarë shprese për përmirësimin e gjendjes. Për herë të parë qytetet dhe bashkitë ku shqiptarët përbëjnë shumicën do të kenë një kontroll të çështjeve lokale. Por kjo është shumë pak për të bërë komunitetin shqiptar optimist.
Me afrimin e zgjedhjeve partitë politike shqiptare duket se nuk kanë asgjë të re për t'i ofruar elektoratit të tyre. Programet e tyre duket se do të përmbajnë të njëjtat politika të vjetra - një kushtetutë të re, të drejta të njëjta në arsimimin e lartë dhe krijimin e institucioneve demokratike që funksionojnë.
Që prej dhjetë vjetësh këto politika kanë zënë pluhur e janë vjetëruar dhe partitë politike maqedonase dhe ato shqiptare i pastrojnë ato nga pluhuri për të bërë një shou sa herë që afrojnë zgjedhjet.
Adelina Marku është gazetare shqiptare për revistën maqedonase Forum në Shkup.