Milionat E Humbura
Shuma të mëdha parashjanë investuar për median në Bosnje, por me shumë pak rezultate.
Milionat E Humbura
Shuma të mëdha parashjanë investuar për median në Bosnje, por me shumë pak rezultate.
Rreth gjashtë vjet pas përfundimit të luftës, skena e mediave në Bosnje Herzegovinë vazhdon të përkeqësohet. Pavarësisht disa miliona dollarë ndihmë të huaj, pjesa më e madhe e organizatave të mediave nuk kanë strategji për biznesin e tyre dhe zhvillimet profesionale, dhe reputacioni i përgjithshëm i kësaj dege duket se është në rënie.
Media është një nga motorrët kryesorë të ndryshimeve demokratike në çdo vend, dhe për sa i përket numrit të tyre Bosnja duket se është shumë e pasur. Por përpjekjet e ndihmuara edhe nga Perëndimi kanë filluar tanimë nga Agjensia e Regullimit të Komunikacionit për të përmirësuar përmbajtjen e programeve dhe për të ulur numrin e mediave të pavarura të cilat kanë mbirë si kërpudha gjatë luftës në mbështetje të njërit prej tre grupeve entike të vendit.
Në median e shkruar, nuk po bëhen përpjekje të tilla. Nuk ekziston ende asnjë organizëm rregullues me fuqi për të vendosur disa standarte minimale profesionale, menaxhimi dhe financiare.
Pesë gazeta kryesore të përditëshme në Bosnje kanë së bashku një qarkullim ndërmjet 80,000 dhe 90,000 kopjesh. Kjo është vetëm një shifër e përafërt sepse të dhënat për numrin e kopjeve të shitura konsiderohen një sekret biznesi. Tre gazetat më të vjetra, Oslobodjenje, Glas Srpski dhe Jutarnje Novine (dikur Vecerje Novine), secila me mbi 40 vjet histori, po përballen me probleme serioze për fonde, si pasojë e grevave dhe privatizimit të dyshimtë.
Për momentin, vetëm një gazetë ka lexues në Federatë dhe në Republika Srpska. Kjo është Nezavisne (Independent) Novine e drejtuar nga redaktori dhe biznesmeni i njohur nga Banja Luka, Zheljko Kopanja. Të gjitha gazetat e tjera duket se janë të destinuara të shesin vetëm brenda rradhëve të një komuniteti etnik.
Tre revista të përjavëshme, Dani, Slobodan bosna, dhe Reporter, fillimisht kanë pasur sukses, por pavarësisht qindra mijëra dollarëve të investuara nga jashtë për to, nuk kanë arritur të konsolidohen financiarisht.
E vetmja gazetë e cila duket se është në gjendje të mirë financiare për momentin është e përditëshmja që botohet në Sarajevo, Dnevni Avaz, por edhe ajo është kritikuar ashpër nga disa ekspertë lokalë dhe perëndimorë për bindjet e saj politike dhe marrëveshjet e dyshimta financiare.
Gazeta është krijuar gjatë luftës në Bosnje si një vegël e nacionalistëve Boshnjak të Partisë për Veprim Demokratik. Ajo e ndryshoi qëndrimin e saj politik sapo kjo parti humbi pushtetin dhe u afrua me koalicionin qeveritar të moderuar Aleanca për ndryshim.
Për më tepër, pronari i gazetës, Fahrudin Radonjçiq, nuk ka shpjeguar asnjëherë origjinën e fondeve të përdorura për botimin e gazetës. Gazeta e tij së fundi është zhvendosur me zyra në një ndërtesë të re luksoze - përsëri pa thënë se nga vijnë këto para.
Edhe në median elektronike, investimet e perëndimit kanë pasur dështime. Prioriteti fillestar ishte të ndërtohej një sistem paralele në të cilin media e pavarur lokale të operonte në kuadrin e dy rrjeteve rajonale - Rrjeti i Hapur i Transmetimit, OBN, dhe rrjeti i radios FERN. Por rrjetet e mëdha lokale (RTV BiH, RTRS, dhe Erotel) mbetën nën kontrollin e partive nacionaliste dhe vazhduan të tërhiqnin pjesën më të madhe të shikuesve.
Në vijim, komuniteti ndërkombëtar ndërpreu donacionet për Radio FERN dhe OBN, dhe tani po përqëndrohet në një transformim kompleks të transmetuesve shtetëror në publik, të cilat mund të marrin programet e tyre nga një Shërbim Transmetimi Publik qendror i planifikuar. Ndërsa ky proces ndryshimesh po kërkon vite për tu zbatuar, Fern është integruar në shërbimin e ri publik të radios, ndërsa OBN është gjendur në një krizë të thellë financiare.
Ndërkohë, për shkak të rregullave të reja dhe shumë strikte, më tepër se gjysma e 210 stacioneve ta radios në Bosnje dhe 71 studiove të TV mund të mbyllen. Agjensia rregulluese ka pasur një farë suksesi në krijimin e standarteve profesionale për transmetuesit por është kritikuar se është shumë nën kontrollin e perëndimit.
Pavarësisht gjithë këtyre problemeve, pjesa më e madhe e vëzhguesve mendojnë se gjendja e tanishme e mediave në Bosnje dhe pjesën tjetër të Ballkanit është e kuptueshme po të kemi parasysh historinë e këtyre vendeve - 50 vjetë socializëm të pasuara nga rilindja e nacionalizmit, prapaganda e kohës së luftës dhe kaosi ekonomik i pasluftës.
Pas luftës, organizatat ndërkombëtare të ngarkuara me zbatimin e marrëveshjes së paqes në Bosnje janë detyruar të përballen me qeveri nacionaliste dhe gazetarë të manipuluar nga politika të cilët kanë pasur qëllim të pengojnë këto ndryshime. Meqënëse media ka luajtur një rol aq të madh në provokimin e konfliktit në Ballkan gjatë 10 vjetëve të fundit, Perëndimi është ndjerë i detyruar të fokusojë ndihmën e tij financiare dhe me këshilla në këtë fushë.
Sipas një organizate të pavarur të mediave, instituti me qendër në Sarajevo Media Plan, vendet Perëndimore kanë shpenzuar mbi 135 milionë marka Gjermane për median në Bosnje gjatë gjashtë vjetëve të fundit. Vetëm projekti i OBN-së ka shpenzuar mbi 40 milion marka. Pjesa më e madhe e projekteve ndërkombëtare kanë qenë të kushtueshme dhe tepër komplekse. Shumë prej tyre janë zbatuar pa një strategji afatgjatë të përcaktuar mirë dhe bazuar në vendime ad-hoc të cilat reflektojnë konfliktin e interesave ndërmjet vendeve të ndryshme Perëndimore.
Këto projekte kanë arritur disa rezultate, si pakësimi i materialeve fyese në media dhe në edukimin profesional të gazetarëve. Por sipas disa vëzhguesve, këto ndryshime janë arritur me një kosto tepër të lartë. Kritikët thonë se komuniteti ndërkombëtar ka caktuar ata politikanë të cilët e futën vendin në luftë për të demokratizuar median. Ata thonë se këta drejtues kanë preferuar të bllokojnë reformimin e mediave në vend që të nxisin këto reforma.
Gjatë viteve të fundit, rrjetet shtetërore të RTV janë çliruar nga presionet partiake - në disa raste me ndërhyrjen apo mbikqyrjen e fortë ndërkombëtare. Megjithatë, tranzicioni i tyre nga një shërbim shtetëror në publik ka qenë shumë i ngadaltë. PBS ka qenë një ide në letër që prej dy vjet e gjysëm.
Privatizimi i gazetave lokale dhe revistave është karakterizuar nga probleme dhe skandale.
Disa stacione të vogla radio dhe TV po mbijetojnë me vështirësi megjithëse donatorët Amerikanë përpiqen të mbajnë në këmbë Shoqatën e Mediave Elektronike të Pavarura e cila supozohet të mbrojë interesat e transmetuesve të vegjë;.
Sipas ekspertëve të medias, të huaj dhe vendës, projektet ndërkombëtare janë zbatuar pa pasur një kuptim të mirë të nevojave të vendit. Vetëm në raste të rralla, sipas këtyre ekspertëve, disa zyrtarë perëndimorë apo agjensi kanë krijuar një partneritet real, dhe konstruktiv me median lokale.
Miliona marka Gjermane janë shpenzuar për kurse të shumta trajnimi të cilat kanë shërbyer më tepër për gazetarët lokalë të interesuar për të udhëtuar në perëndim sesa për të mësuar gjëra të reja. Shumë trajnues të gazetarëve kanë qenë të paaftë dhe kanë pasur pak ose aspak dijeni për gjendjen e mediave në Bosnje. Mbetet ende shumë për të bërë por paratë e huaja për këtë qëllim duket se po mbarohen. Kjo do të thotë se media lokale, gazetarët, menaxherët, analistët dhe ndoshta edhe shteti duhet ta bëjnë këtë punë vetë.
Zoran Udoviçiq, një gazetar i vjetër dhe studiues i mediave, është krijuesi dhe president i Media plan me qendër në Sarajevo, një institut për zhvillimin dhe studimin e mediave.