Skip to main content

Shkupi Përjashton Lidhjen e UCK-së me Shpërthimet e Bombave

Qeveria Maqedonase përjashton mundësinë që UCK-ja të ketë dorë në sulmin me bomba ndaj stacionit të policisë

Shkupi Përjashton Lidhjen e UCK-së me Shpërthimet e Bombave

Qeveria Maqedonase përjashton mundësinë që UCK-ja të ketë dorë në sulmin me bomba ndaj stacionit të policisë

Qeveria e koalicionit në Maqedoni ka përjashtuar mundësinë që ish anëtarë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, UCK, të kenë lidhje me disa veprime terroriste të ndodhura në Perëndim të vendit gjatë muajit të kaluar.


Administrata - e përbërë nga parti Maqedonase dhe Shqiptare - thotë se sulmet në rajonin e policisë në Tearce më 22 Janar dhe ndaj një treni të linjës Shkup-Kërçovë katër ditë më pas kanë qenë vepër e radikalëve të palidhur me asnjë organizatë politike.


Por, menjëherë pas këtyre sulmeve, thuhet se forcat e sigurisë kanë kontrolluar shtëpitë e disa ish anëtarëve të UCK-së dhe kanë marrë urdhër të shtojnë prezencën e tyre në këtë zonë.


Rajoni Tearce shtrihet pranë kufirit me Serbinë jugore, ku forcat e ministrisë së brendëshme të Serbisë po ndeshen në një luftë të pashpallur me Ushtrinë Clirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, UCPMB.


Beogradi e akuzon UCPMB-në, e cila përbëhet nga ish guerrilas të UCK-së, se po përpiqet t'ia aneksojë rajonin e Preshevës Kosovës. Shumë Maqedonas mendojnë se ata kanë plane të njëjta edhe për pjesën perëndimore të vendit të tyre, të banuar kryesisht nga Shqiptarë.


Përgjigja e autoriteteve ndaj sulmeve të fundit ngjan me reagimin e tyre ndaj një vale sulmesh me bomba ndaj rajoneve të policisë në Maqedoninë Perëndimore vitin e kaluar.


Shumë Maqedonas kanë pasur dyshime në atë kohë që sulmet kanë qenë vepër e ekstremistëve Shqiptarë dhe kanë menduar se qeveria nuk ka pasur dëshirë të pranojë këtë sepse ka pasur frikë se do të shkaktonte një çarje në gjirin e koalicionit qeveritar të përbërë nga parti Maqedonase dhe Shqiptare.


Policia Maqedonase ka thënë se katër Shqiptarët e akuzuar më 30 Janar për sulmin me granata ndaj rajonit të policisë në Tearce - ku u vra një polic Maqedonas - kanë vepruar në mënyrë të pavarur. "Këta radikalë ekstremistë nuk janë pjesë e ndonjë grupi të organizuar," ka thënë zëdhënësi i policisë Stevo Pendarovski.


Arrestimet janë bërë pasi një grup që e quante veten Ushtria Clirimtare Kombëtare, UCK, ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet ndaj rajonit të policisë dhe trenit, me anë të një faksi dërguar një stacioni televiziv në Shkup. Faksi kishte stemën e UCK-së e cila tani është shkrirë.


Duke reflektuar shqetësimin e saj për një lidhje të mundëshme ndërmjet trazirave në Serbinë jugore dhe shpërthimit të dhunës në Maqedoninë Perëndimore, ministria e brendëshme thotë se ajo ka shtuar veprimet e forcave të sigurisë në zonën e Tearces.


Ministrja e brendëshme Dosta Dimovska ka thënë se ajo ka frikë se luftimet në Serbinë jugore mund të shkaktojnë "një valë refugjatësh dhe shtimin e kalimeve të paligjëshme të kufirit".


Kryeministri Ljubcko Gjeorgjevski ka paralajëmruar se Maqedonia do të tregohet tepër e kujdesëshme nëse provohet se dhuna në rajon ka lidhje me ish anëtarë të UCK-së.


"Ne do të përballeshim me një rrezik të vërtetë nëse ka prova të mjaftueshme që sulmet në Maqedoni janë një farë rrjedhoje e asaj që po ndodh në Serbinë e jugut," ka thënë ai.


Për momentin, qeveria po ngul këmbë që nuk ka asnjë lidhje ndërmjet Ushtrisë Clirimtare Kombëtare dhe ish UCK-së.


Arbër Xhaferri, presidenti i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, PDSH, anëtare e koalicionit qeveritar, ka thënë se ai kishte informacione për ekzistencën e UCK-së, por ai mendonte se "kjo organizatë nuk ka asnjë lidhje ideologjike me Ushtrinë Clirimtare të Kosovës".


Kryetari i Drejtorisë së Sigurimit Publik Zvonko Kasirski ka thënë se "ne kemi të bëjmë në këtë rast me një grup ekstremistësh të pavarur".


Dështimi i autoriteteve për të identifikuar organizimin që qëndron pas sulmeve në Maqedoninë Perëndimore ka bërë që të shtohen spekulimet në shtyp.


Një nga teoritë më të përhapura përveç asaj të lidhjes me UCK-në, është se kriminelët e kanë kryer sulmin ndaj rajonit të policisë në Tearce në shenjë hakmarrje ndaj luftës së policisë ndaj aktiviteteve të tyre, veçanërisht prostitucionit.


Të tjerë thonë se kjo organizatë e re mund të përfaqësojë disa grupime radikale të pakënaqura me politikat e partive kryesore Shqiptare, apo që sulmuesit të kenë qenë Kosovarë të zemëruar nga përjashtimi i drejtuesve politik të provincës nga bisedimet Jugosllavo-Maqedonase për çështjen e kufinjve.


Disa të tjerë kanë thënë se qeveria mund të ketë pasur gisht në këto sulme për të larguar vëmendjen nga skandali i përgjimeve të telefonave i cili mund të dëmtojë rëndë administratën. Shqiptarët që jetojnë në rajonin Tearce janë të zemëruar me autoritetet për reagimin e tyre ndaj sulmeve. Organizatat e të drejtave të njeriut janë ankuar se disa njësi të policisë kanë kryer sulme pa dallim ndaj shtëpive Shqiptare dhe kanë keqtrajtuar banorët - një akuzë kjo e cila nuk pranohet nga ministria e brendëshme.


"Ka ardhur koha që të zbardhet ngjarja në Tearce," ka thënë Milaim Fevziu, presidenti i Forumit për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut. "Duke i paraqitur Shqiptarët si një forcë destabilizuese në Maqedoni, po krijohen ndarje të thella ndërmjet nesh dhe Maqedonasve të cilat mund të kenë pasoja të paparashikueshme".


Veton Latifi është një analist politik dhe gazetar i pavarur nga Maqedonia.


Frontline Updates
Support local journalists