Serbët Arratisen Në Malin e Zi

Një numër i madhe serbësh po shkojnë në Malin e Zi në përpjekje për të shpëtuar nga realiteti i vështirë i regjimit të Millosheviqit.

Serbët Arratisen Në Malin e Zi

Një numër i madhe serbësh po shkojnë në Malin e Zi në përpjekje për të shpëtuar nga realiteti i vështirë i regjimit të Millosheviqit.

Deri pak javë më parë Jelena punonte si psikologe në qendrën klinike të Novi Sadit në Serbinë veriore. Sot ajo punon si kamariere në një pikë ku shërbehen ushqime të shpejta.


Duke ndërruar uniformën e saj të bardhë të mjekes me një uniformë të kuqe, ajo e ka shtuar rrogën e saj të mëparshme mujore prej 70 markash gjermane rreth pesë herë. Për të bërë këtë ajo ka ndjekur një rrugë të njohur nga shumë njerëz, duke u larguar nga Novi Sad për të ardhur në qytetin turistik bregdetar të Herceg Novi në Mal të Zi.


Jelena tridhjetëvjeçare është një nga shumë "refugjatët" serbë të cilët po dynden në pjesën jugore të Malit të Zi.


Jo shumë kohë më parë Beogradi ishte i mbushur me njerëz nga Mali i Zi - njerëzit nga republika e pazhvilluar malore u dyndën në Beograd në kërkim të mundësive më të mira për jetesë. Sot Podgorica është shndërruar në një magnet për beogradasit, tregtarë, politikanë, gazetarë, studentë, profesorë dhe doktorë.


Këta njerëz largohen nga Serbia për një numër arsyesh. Kundërshtarët politikë të regjimit të Millosheviqit vijnë këtu për të shpëtuar kokat - apo të paktën mendjen e tyre. Disa shpresojnë të pasurohen në Malin e Zi më liberal dhe me tregëti të lirë, ndërsa të tjerë - si Jelena - largohen nga varfëria.


Niveli në rritje i dhunës dhe vala e madhe e vrasjeve të pazbuluara në Beograd ka sjellë gjithashtu edhe një numër të madh të pasurish dhe njerëzisht të njohur.


Bogoljub Kariq, i cili është bërë milioner nën kujdesin e Sllobodan Millosheviqit dhe më pas i rënë nga maja e pushtetit, është në listën e atyre personave të cilëve u është ndaluar hyrja në vendet e Bashkimit Europian. Mali i Zi është shpëtimi i vetëm. Nenad Gjorgjeviq, një serb tjetër i pasur i cili ka investuar shuma të mëdha për JUL, partinë e gruas së Millosheviqit, Mirajan Markoviq, ka ardhur këtu pasi u dëbua nga rrethi i ngushtë i drejtimit.


Vuk Drashkoviq, drejtuesi i Lëvizjes për Ripërtëritje Serbe të opozitës, ka shpëtuar së fundi nga një përpjekje për ta vrarë ndërsa ndodhej në shtëpinë e tij të pushimit në Budva.


Mbetet për t'u parë nëse "parajsa e qetë" e Malit të Zi do të ketë pasoja.


Largimi për në Mal të Zi, të cilin shumë serbë e konsiderojnë si një oaz të lirisë dhe optimizmit, ka filluar rreth dy vjetë më parë, pas miratimit të ligjit drakonian për universitetet, i cili i shndërroi universitetet në Serbi në institucione të kontrolluara nga qendra pa asnjë liri mendimi dhe shprehjeje.


Një pjesë e madhe e stafit të universiteteve të zhgënjyer u pasuan nga redaksitë e gazetave. Të përditshmet e vendosura në Beograd "Dnevni Telegraf" dhe "Evropljanin" filluan të botohen në Podgoricë pasi u bënë pre e ligjit famëkeq të informimit.


Në fillim të fushatës së bombardimeve të NATO-s pronari dhe redaktori i të dyja gazetave, Sllavko Curuvija, u vra në qendër të Beogradit nga njerëz të panjohur.


Revista me qarkullim më të madh në Serbi, Blic, është detyruar të transferojë një pjesë të botimit të saj në Podgoricë kur botuesit shtetërorë nuk pranuan të vazhdonin të shtypin të përditshmen e pavarur. Kryeredaktori Veselin Simonoviq thotë se Blic humbet rreth 70,000 kopje në ditë si rezultat i ndryshimit të shtypshkronjës, gjë e cila ka shtuar koston e botimit me 20 përqind. Stafi redaksional i gazetës së përditshme Glas Javnosti, shënjestra më e fundit e regjimit të Beogradit, po mendon gjithashtu të transferohet në Mal të Zi.


Gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s në mars të vitit të kaluar, serbët u larguan në masë për në Mal të Zi. Figurat e opozitës u larguan së bashku me artistë, gazetarë dhe disa mijëra njerëz të thirrur nën armë. Brenda tre muajve qendra e sigurimit në Podgoricë ka lëshuar rreth 5,000 dokumenta identiteti të reja.


Disa njerëz si presidenti i Partisë Demokratike Zoran Gjingjiq u kthyen në Beograd pas përfundimit të bombardimeve. Të tjerë si Goran Vesiq, deputet i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Beogradit, janë akoma në Podgoricë.


"Unë kam ardhur në fund të muajit maj 1999, përpara se të dënohesha me dy vjetë burgim për mosparaqitje nën armë. Unë jam akoma këtu duke pritur për rezultatin e apelit tim dërguar Gjykatës së Lartë Ushtarake," thotë ai.


Artisti nga Beogradi Miroslav Nune Popoviq ka pasur të njëjtin fat. "Unë jam përballur me katër gjyqe të motivuara politikisht gjatë katër vjetëve të shkuar për shkak të punës sime. Unë duhet të paraqitesha përpara gjykatës gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s, kështu që u detyrova të largohesha, sepse mund të dënohesha me tre vjet burgim. Ndjehem i sigurtë në Mal të Zi, por meqënëse nuk mund të punoj me projekte të lidhura me Serbinë, kam vendosur të shkoj në Slloveni," thotë ai.


Fluksi i njerëzve të pasur dhe tregtarëve të cilët nuk kanë lidhje me regjimin e Millosheviqit përbën një burim të ardhurash për Malin e Zi. "Që prej mesit të vitit të kaluar ne kemi regjistruar të paktën një kompani në javë që është transferuar nga Beogradi në Podgoricë," thotë një përfaqësues i njërës prej agjencive të shumta të regjistrimit të kompanive.


Sistemi i tanishëm i dy monedhave që vepron tani në Mal të Zi është një nxitje më shumë për bizneset. "Ligjet malazeze janë shumë më liberale se ato të Serbisë, licensat e import-eksportit merren shume lehtë ose nuk nevojiten fare, dhe kontrollet financiare e ato të taksave janë të rralla dhe jo aq të rrepta," thotë Goran Vesiq, duke shtuar se të gjithë miqtë e tij në Beograd që kanë pasur një biznes i kanë regjistruar tani kompanitë e tyre në Mal të Zi.


Ata që shqetësohen se kërcënimet e Beogradit do të thonë se Mali i Zi mund të përballet me një ndërhyrje ushtarake duhet të vënë re se edhe oficerë të Ushtrisë Jugosllave po shkojnë drejt jugut.


Disa si gjenerali Radosav Martinoviq dhe nën-gjenerali Jovan Strugar kanë gjetur kariera të reja me perspektivë - si këshilltarë të qeverisë malazeze.


Zoran Raduloviq është gazetar malazez.


Frontline Updates
Support local journalists