Skip to main content

Malazezët Bllokojnë Bashkëpunimin me Hagën

Hapat e partisë pro-Jugosllave të Malit të Zi për të bllokuar një ligj për bashkëpunimin me gjykatën e Hagës kërcënojnë unitetin e federatës.

Malazezët Bllokojnë Bashkëpunimin me Hagën

Hapat e partisë pro-Jugosllave të Malit të Zi për të bllokuar një ligj për bashkëpunimin me gjykatën e Hagës kërcënojnë unitetin e federatës.

Partia Popullore Socialiste e Malit të Zi, SNP, një ish aleate e presidentit Jugosllav të rrëzuar Sllobodan Millosheviq, ka kundërshtuar një projekt ligj për bashkëpunimin me gjykatën e Hagës, duke rrezikuar kështu bashkimin me Serbinë.


SNP-ja ka dalë si partia e parë në parlamentin federal, pasi partitë Malazeze pro-pavarësisë kishin bojkotuar zgjedhjet Jugosllave të Dhjetorit të vitit 2000.


Pas largimit të Millosheviqit, partia e cila mbështet me forcë vazhdimin e qendrimit të Malit të Zi në federatën Jugosllave, ka krijuar një koalicion pak të çuditshëm me Opozitën Demokratike të Serbisë, DOS, në parlamentin federal.


Nëse kjo qeveri tani rrëzohet si rezultat i mosmarrëveshjeve për çështjen e bashkëpunimit me gjykatën e Hagës, çështja e vjetër e ekzistencës dhe të ardhmes së Jugosllavisë do të shtrohej përsëri aktualisht për diskutim.


Drejtuesi i SNP-së Predrag Bullatoviq ka thënë se partia e tij do të vazhdojë të mbështesë një administratë të pakicës së DOS-it në nivelin federal, por pa komponentin e saj Malazez e drejta e qeverisë për ta quajtur veten federale do të vihej në diskutim.


Si rezultat, DOS do të detyrohej të thërriste zgjedhje të reja në Jugosllavi. Dhe koalicioni do të duhet të gjente një aleat tjetër në Mal të Zi po aq entizuast për ruajtjen e federatës sa edhe SNP-ja. Problemi është se rivalët e SNP-së, të drejtuar nga Presidenti Malazez Millo Gjukanoviq, mbështesin shkëputjen e Malit të Zi.


Kriza e tanishme ka shpërthyer kur SNP ka hedhur poshtë projekt ligjin federal të propozuar për bashkëpunimin me Hagën, të propozuar për të rregulluar ligjërisht ekstradimin e të dyshuarve për krime lufte në Jugosllavi për në gjykatën e Hagës.


Kjo lëvizje e ka vendosur DOS-in në një gjendje tepër të vështirë. Koalicioni është vendosur nën një presion tepër të madh ndërkombëtar, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të miratuar një ligj përpara konferencës ndërkombëtare të donatorëve të planifikuar për në 29 Qershor. Uashingtoni ka vendosur miratimin e këtij ligji si parakushtpër pjesëmarrjen e tij në këtë konferencë.


Por të Martën në mbrëmje drejtuesit e DOS dhe SNP kanë ndërprerë bisedimet pa arritur marrëveshje për të miratuar ligjin në parlamentin federal. Një takim tjetër është përcaktuar për në datën 8 Qershor, por zëdhënësi i DOS-it ka thënë se nuk ka shumë kuptim të vazhdohet të diskutohet më tej nëse partia e Bullatoviqit nuk është e përgatitur të ndryshojë vendimin e saj.


Por, një gjë e tillë duket e pamundur. SNP-ja ka kundërshtuar projekt propozimin pas konsultimeve me anëtarët lokalë të partisë. Partia nuk kundërshton në parim bashkëpunimin me Hagën, por ngul këmbë se një gjë e tillë mund të arrihet në nivel republikan dhe jo federal.


SNP-ja me qëndrimin e saj pro Millosheviqit dëshiron të shmangë çdo akuzë për tradhëti "të interesave kombëtare dhe dinjitetit". Meqënëse ata nuk përbëjnë qeverinë në Mal të Zi, ata thonë se përgjegjësia për marrjen e vendimit duhet ti mbetet Beogradit, dhe një gjë e tillë do të shkarkonte SNP-në nga kjo përgjegjësi.


SNP-ja ka kërkuar kohë për tu konsultuar me anëtarët e saj lokalë përpara se të merrte një vendim për ta mbështetur apo hedhur poshtë projekt ligjin. Diskutimet kanë përfunduar fundjavën e kaluar me vendimin për të hedhur poshtë projekt propozimin. Vetëm dy vetë kanë votuar në favor të këtij ligji.


Partia në fund të fundit i ka premtuar votuesve përpara zgjedhjeve parlamentare në Malin e Zi më 22 Prill, se ajo do të kundërshtonte çdo ekstradim në Hagë, veçanërisht të Millosheviqit. SNP-ja, si partia kryesore e koalicionit Së Bashku për Jugosllavinë, ka arritur në vend të dytë, me një diferencë shumë të vogël nga blloku i drejtuar nga Gjukanoviq, në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi të dominuara nga çështja e pavarësisë.


Pas rrëzimit të Millosheviqit në Tetor të vitit 2000, SNP-ja i është përshtatur me shpejtësi situatës së re. Drejtuesi i partisë Momir Bullatoviq, kryeministri dhe një ish mik i ngushtë i Millosheviqit, është sakrifikuar duke u zëvendësuar nga Predrag Bullatoviq (pa lidhje me njëri tjetrin) me qëllim që të reflektohej besnikria e SNP-së ndaj presidentit të ri Jugosllav Vojisllav Koshtunica.


Kjo ka qenë një lëvizje pragmatike me synim ruajtjen e integritetit të republikës federale. Por nëj aleancë ndërmjet DOS-it anti Millosheviqit në Serbi dhe SNP-së pro Millosheviqit në Mal të Zi nuk do të ishte kurrë e sigurtë. Anëtarët e SNP-së dhe votuesit vështirë se mund të ndryshonin mendimin e tyre ndaj Millosheviqit brenda një nate.


Qëndrimi pa kompromis i SNP-së për legjislacionin për bashkëpunimin me Hagën shkon në favor të kundërshtarëve të partisë në Malin e Zi - bllokun pro pavarësisë. Përveç çështjes së rëndësishme të pozicionit të Malit të Zi në Jugosllavi, Gjukanoviq është një aleat më i natyrshëm për DOS-in në Malin e Zi.


Gjukanoviq, pas fitores së tij jo bindëse në zgjedhjet e kaluara parlamentare, tani ka edhe një argument më tepër në dorë për pamundësinë e ekzistencës së një shteti të përbashkët Serbo Malazez.


Nuk mund të kishte moment më të mirë për presidentin Malazez. Gjukanoviq është tronditur së fundi nga disa njoftime të mediave që e lidhin atë me kontrabandën e cigareve.


Nëse qeveria federale rrëzohet, dhe së bashku me të ndoshta edhe sistemi federal Jugosllav, vëmendja e komunitetit vendas dhe atij ndërkombëtar do të largohej nga shkeljet që mendohet të ketë kryer Gjukanoviq. Drejtuesi Malazez, si aleati natyral i DOS-it në republikën e vogël, mund të rifitojë edhe një pjesë të mbështetjes ndërkombëtare, e cila është pakësuar pas rrëzimit të Millosheviqit.


Partia Demokratike Socialiste e Gjukanoviqit, DPS, nuk po e fsheh faktin se keqkuptimi i tanishëm ndërmjet DOS-it dhe SNP-së është një lajm i mirë për të. Zëdhënësi i DPS-së Igor Luksiq, ka thënë: "Ky është një konfirmim tjetër që partnerët natyralë të DOS-it për bashkëpunim ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë është koalicioni pro pavarësisë Malazez".


Kjo nuk do të thotë se Gjukanoviqi ka hequr dorë nga kërkesa e tij për pavarësi, megjithëse projekti nuk duket se është ende aktual pas zgjedhjeve pakonkluduese të muajit Prill. Ai ndoshta është duke blerë kohë me shpresën se do të dobësojë kundërshtarët e tij të SNP-së përpara se të fillojë bisedimet me Beogradin për të ardhmen me republikën federale.


Refuzimi kokfortë i SNP-së për të pranuar legjislacionin e propozuar ka krijuar një përçarje në gjirin e bllokut së Bashku për Jugosllavinë. Partia Popullore e Dragan Soc - deri vitin e kaluar një aleat i Gjukanoviqit - mbështet bashkëpunimin e plotë me Hagën dhe mund të përçahet me SNP-në për këtë çështje.


Në Beograd ekziston shpresa që SNP-ja më në fund do të pranojë. Por kjo mund të jetë një ide pak si tepër optimiste.


Kryeministri Jugosllav Zoran Ziziq, një figurë e rëndësishme e SNP-së, mendohet se ka një qëndrim më të zbutur ndaj Hagës, nëse nga kjo do të varej pozita e tij. Megjithatë, Bullatoviq, është më i kujdesëshëm për pozicionin e partisë së tij. Nëse ai do të hapë rrugë, ai mund të gjendet nën njëpresion të madh nga anëtarët lokalë, zyrtarët dhe votuesit - ai nuk mund të luajë me mbështetjen e tyre.


Dhe kjo mbështetje e tyre duket se jepet kryesisht për të mbrojtur Millosheviqin dhe të tjerët nga dërgimi në Hagë.


Dragoljub Vukoviq është redaktori i së përjavëshmes Monitor me qendër në Podgorica.


Frontline Updates
Support local journalists